Trajnimet Profesionale


INSTITUTI I STUDIMEVE DHE APLIKIMEVE NË BIZNES (ISAB)

Pranë APB-së, është krijuar edhe “Instituti për Studime dhe Aplikime në Biznes” (I.S.A.B), i cili funksionon si një organizatë jofitimprurëse me statusin e një qendre. Fusha e veprimtarisë së këtij instituti është:

  • Kryerja e studimeve dhe kërkimeve të ndryshme shkencore, në funksion dhe për zgjidhjen e nevojave të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, në kuadër projektesh ose jo, duke angazhuar kapacitetet shkencore të stafit akademik të APB-së apo dhe bashkëpunëtore të tjerë jashtë tij.

 

  • Kryerja e shërbimeve dhe realizimi i projekteve në të mirë dhe në interes të vendit dhe të publikut, lidhur me: zhvillimin e qëndrueshëm i ekonomisë, biznesit, turizmit, shëndetit publik, edukimit, vlerave kulturore etj; përmirësimin e qeverisjes dhe zbatimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe informalitetit; forcimi i institucioneve që përmirësojnë vendosjen e demokracisë; mbrojtja e mjedisit, fuqizimi i kapaciteteve të brezit të ri dhe organizatave; fuqizimi i bashkëpunimit dhe partneritetit në hapësirat e shoqërisë civile etj.

 

 

  • Përgatitja e materialeve, moduleve të nevojshme dhe realizimi i Kualifikimeve dhe Trajnimeve, me specialistët, profesionistët apo grupe të ndryshme të interesit në të gjitha fushat e Ekonomisë dhe të së Drejtës, për t’i aftësuar ata, për t’iu nënshtruar provimeve të shtetit, dhe përfitimit të Titujve profesionalë.
  • Përgatitja e materialeve, moduleve të nevojshme dhe realizimi i Kualifikimeve dhe Trajnimeve, me specialistët, profesionistët apo grupe të ndryshme të interesit në të gjitha fushat e ekonomisë, politikës, të të drejtës, të mjedisit apo të administrimit të territorit, dhe në përgjithësi të gjithë nevojave të zhvillimit dhe integrimit të shoqërisë shqiptare.

 

ISAB ka si qëllim që të mbështesë veprimtarinë e stafit akademik dhe studentëve të Akademisë Profesionale të Biznesit duke funksionuar në shërbim të Fakulteteve efektive, mbi bazë qendrash studimore të orientuara sipas fushave të studimeve universitare, që mund të jenë Qendër e Studimeve me natyrë Social-Ekonomike dhe Qendër e Studimeve me natyrë Juridike dhe Ligjore. Instituti synon përgatitjen dhe realizimin e kushteve për të siguruar Edukimin gjatë gjithë jetës, të specialistëve, ekspertëve dhe profesionistëve përmes kualifikimeve për rritjen e kapaciteteve dhe ekspertizës profesionale, kryerjen e testimeve për të gjithë individët dhe specialistët që kanë interes për të marrë pjesë në proceset e marrjes së Titujve Profesionale.

 

Në  këtë  optikë, ISAB zhvillon KURSET E TRAJNIMIT për “Standardet Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Kontabilitetit dhe të Raportimit Financiar dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të nevojshme për implementimin e tyre”. Trajnimi zhvillohet për specialistët dhe profesionistët e Fushës së Kontabilitetit, të Auditimit, të Bankave, Kompanive të Sigurimeve, të Korporatave dhe kompanive publike dhe private, punonjës të strukturave Fiskale dhe të Auditimit të Administratës Publike etj., të cilëve, sipas Ligjit 9228 datë 29.04.2004 ”Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare” i ndryshuar, u kërkohet implementimi i SNKRF (IAS/IFRS) dhe jo vetëm ato.

 

Qëllimi kryesor i programit të trajnimit është plotësimi me njohuritë e nevojshme dhe të thelluara të këtyre specialistëve dhe profesionistëve, lidhur me zhvillimet kontabël ndërkombëtare, me rregullat bazë të vlerësimit të elementeve të Pasqyrave Financiare sipas IFRS, për organizimin, mbajtjen e kontabilitetit, përgatitjen e pasqyrave financiare për qëllime të përgjithshme sipas standardeve dhe auditimin e tyre.

 

Ky trajnim është në shërbim të kandidatëve që duan të konkurrojne për të fituar Titullin “Kontabël i Miratuar” apo “Ekspert Kontabël i Regjistruar”. Certifikata lëshohet për SKK dhe SNK njëherësh. Ajo është e njohur nga IEKA dhe Autoriteti i Certifikimit për qëllim të regjistrimit për provim. Në trajnim punohen edhe Tezat e provimeve të viteve të shkuara për Ekspert, apo Kontabël i Miratuar.

 

Shënim: Numri i kandidatëve FITUES në Provimet e shtetit, të cilët janë trajnuar vit pas viti pranë Akademisë Profesionale të Biznesit, shkojnë në rreth 15% më shumë se mesatarja e Republikës.

Share This: